E shpëtojnë 5 deputetë të rinj! Rudina Hajdari mbetet në krye të grupit Demokrat, Ruçi: Unifikoni qëndrimin

17 Tetor 2019, 16:46 | Përditesimi i fundit: 2019-10-17 19:29:46

TIRANE-Rudina Hajdari do të vijojë që të jetë në krye të grupit Demokrat. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Gramoz Ruçi nuk e njeh Korab Litën si kryetar të grupit Demokrat, por Rudina Hajdarin. Në datë 11 tetor 7 deputetë të këtij grupi parlamentar në një mbledhje të fshehtë vendosën që të shkarkonin Rudina Hajdarin nga drejtimi i grupit duke iu drejtuar Kuvendit me shkresën që e vendosnin në dijeni për ndryshimin e kryetarit.

Por disa orë më pas disa nga deputetët e këtij grupi u tërhoqën nga firma. Njëra prej tyre ishte Fatjona Dhimitri, por edhe Halit Valteri që iu drejtuan kryetarit të Kuvendit duke e vendosur në dijeni për tërheqjen nga firma. Rudina Hajdari akuzonte Korab Litën se ushtroi presion deputetëve për të firmosur që të bëhej kryetar grupi. I vendosur përballë kësaj situate me disa shkresa përballë, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh sot në përfundim të seancës plenare teksa po votohej rendi i ditës, se grupi demokrat duhet të unifikonte qëndrimin.