Edhe Xhelal Mziu tenton të bllokojë zgjedhjet në Kamëz: Zbatoj dekretin e të parit të vendit

18 Qershor 2019, 16:37 | Përditesimi i fundit: 2019-06-18 16:41:08

Edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu ka nxjerrë në terren zëvendësin e tij, dhe Policinë Bashkiake për të kërkuar lirimin e ambienteve në varësi të bashkisë, që po shërbejnë si KZAZ për administrimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit.

Xhelal Mziu ka shpërndarë në facebook video nga momenti kur policia bashkiake dhe zëvendëkryetari i Bashkisë, i kërkojnë policisë së rendit që të largohet nga KZAZ 27 dhe 28. Ata i kanë treguar policisë së Rendit se zbatojnë dekretin e të parit të vendit, siç shprehen për presidentit Ilir Meta.

"Në Kamëz nuk ka zgjedhje më 30 qershor 2019", shkruan Mziu teksa shpërndan video nga këto momente.

Debatet

Punonjës të Policisë Bashkiake - policëve të rendit: Ne vimë me shkresa zyrtare, ti më thua nuk kam nevojë të të japë shkresë. Më jep një shkresë, ju po na dilni 30-40 vetë si garipa po na thoni largohuni. Ju jeni zbatues. Unë jam inspektor i policisë bashkiake të lutem më jep një shkresë.

Zv.kryetari i Bashkisë së Kamzës: Unë po zbatoj një ligj që ka dalë në fletore zyrtare nga i pari i shtetit. Nuk të kam ardhur si cub i Mirditës por si zyrtar. Unë kam ardhur të zbatoj dekretin e të parit të shtetit. Ligjin e kujt po zbaton?

Efektivi i Rendit: Unë po zbatoj ligjin e Policisë së Shtetit.

Zv.kryetari i Bashkisë së Kamzës: Ti dhe zoti Lleshi duhet të arrestoni presidentit në mënyrë që të bie ligji poshtë

Efektivi i Rendit: Unë jam shumë i informuar

Zv.kryetari i Bashkisë së Kamzës: Je i informuar në mënyrë partiake

Përfaqësues i Bashkisë: Nuk është KZAZ mbi vendimin e presidentit. I kemi çuar shkresë KZAZ për lirimin e ambienteve. Vetëm gjykata Kushtetuese e diskuton dekretin e presidentit.