Ekskluzive/ Dëshmia e shoferit: Mihal Kokëdhima, djali i tij dhe kamarierët na rrethuan me thika

22 Gusht 2019, 22:38

TIRANE - Sjellja e gabuar për dy peshq zgare i kanë kushtuar shtrenjtë kushëririt të ish-deputetit të Himarës Koço Kokëdhima. Mihal Kokëdhima, tashmë ndodhet në burgun e Vlorës, ndërkohë ka humbur gjithçka që kishte krijuar në mënyrë të paligjshme dhe që fitonte goxha para. Restoranti, lokali, hoteli dhe plazhi i virgjër që kishte zaptuar në Porto Palermo, janë shkatërruar pas gjithë asaj që ndodhi me familjen spanjolle të biznesmenit Eugenio Galdon që kishte mbërritur në Shqipëri për turizëm.

Dhe për çfarë, vetëm për komunikimin e gabuar dhe sjelljen në kufijtë e çmendurisë së Mihal Kokëdhimës, djalit të tij dhe grupit të kamerierëve që ai mbante në punë. “Shqiptarja.com” gjatë këtyre ditëve ka mundur të investigojë mirë ketë ngjarje dhe t'i japë publikut një pamje të qartë dhe të plotë mbi këtë krim, që mori përmasa evropiane.

Sot “Shqiptarja.com” ka mundur të sigurojë ekskluzivisht dosjen e prokurorisë së Vlorës, duke zbardhur të gjitha dëshmitë e personave protagonistë në këtë krim të shëmtuar dhe aspak të denjë për mikpritjen shqiptare.