Ekskluzive/ Flet gjyshi i Amar Rashës: Dua vetëm ardhjen e nipit! Nusja na tradhtoi, mendonte se në Siri ishte dasmë e fushë me lule

27 Tetor 2020, 11:12 | Përditesimi i fundit: 2020-10-27 19:23:42

TIRANË- Pas 7 vitesh pa asnjë kontakt, gjyshi Shaban Rasha do të takohet me nipin e tij Amarin, i cili do të rikthehet sot në atdhe pasi kaloi një pjesë të fëmijërisë së tij në kampin famkeq në Siri, 'Al-Hol'. Nusen, Floreshën, nuk do ta shohë pasi ndihet e tradhtuar nga ajo. Kjo e fundit pas vdekjes së burrit, (djalit të Shabanit) është martuar me dikë tjetër dhe ka lindur dy vajzat, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha. 

Për këtë arsye, Shabani thotë se sot pret vetëm nipin Amar, as nusen e as dy vajzat e tjera. Me lot në sy, ai shprehet se ka qenë një vjehërr i mirë, që e ka mbajtur Floreshën si vajzën e tij, por kjo e fundit është larguar, pavarësisht kërkesës së Shabanit që të mos e merrte djalin me vete. 

"Unë jetoj vetëm. Djali i madh është vrarë në Siri, vajza e djalit të vogël me gjithë djalin, por këto janë vrarë në periudhën që luftonin me Basha Al Asad, jo me këta terroristët. Prandaj nuk ka asnjë lloj procedure. Ardhja e tyre mua nuk më intereson fare vetëm e djalit, e djalit të djalit, nusja ka shkëputur kurorë dhe ka lidhur kurorë me dikë tjetër dhe te unë i është mbyllur dera, po ata nuk do vijnë këtu do shkojnë në kapmin e rehabilitimit, që kur ka vdekur djali që në 26 dhjetor 2016. Dy vajzat (Emel  dhe Hatixhe) nuk janë të djalit, Diamantit, Amari është i Diamantit. Ajo le të gjejë burrin dhe t'u jap mbiemrin.  Jam lidhur me njërëzit që më kanë marrë ne telefon që më kanë njoftuar. Më kanë marrë në telefon, prej 7 vjetësh nuk kam pasur asnjë kontakt. Nuk e ka lejuar ajo që të më marr, kam qenë një vjehrr i sjellshëm, me kulturë, madje të kishit njohur gruan time, ajo iku dhe na tradhtoi si të ishim ca injorant jo si të ishim të dy me shkollë, ajo farmaciste unë mësues. I thashë m'i lë mua fëmijët dhe nuk donte, se kujtonte se ty është dasmë, fushë me lule të vinin unazat në vesh", tha Shaban Rasha. 

Ditën e djeshme u përmbyll me sukses operacioni për kthimin e 4 fëmijëve, Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha dhe nëna e tyre Floresha Rasha (e plagosur në Siri) dhe të Endri Dumanit. Në kamp vijon të jetë motra e Endrit, Eva, ku sipas burimeve ajo është fshehur sepse nuk ka dashur që të rikthehet.