Ekskluzive - Zhduket 'Gjenerali'! U lirua nga burgu për sjellje të mirë, Apeli e kthen në burg

18 Gusht 2019, 10:27

TIRANE - Gjashtë muaj pasi la qelinë në burgun e Drenovës në Korçë, Gert Gjinarari, miku i Arben Grorit, është shpallur sërisht në kërkim kombëtar, pasi duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit, me 25 vite burgim. “Shqiptarja.com” mëson se prej gati një muaj Gert Gjinarari, i liruar nga qelia në 14 shkurt 2019 nga gjyqtari i Korçës, Markelian Kuqo, është shpallur në kërkim. Kjo pasi një vendim gjykate i marë nga gjykata e Apelit Korçë, ka vendosur të ndryshojë vendimin e lirimit të Gjinararit dhe ta kthejë atë sërisht në ambjetet e burgut të Drenovës, ku të vuajë vitet e mbetura të dënimit me 25 vite burgim.

Aktualisht vendimi është vënë në ekzekutim nga prokuroria e Korçës, e cila ka kërkuar nga policia e këtij qyteti që të arrestojë Gert Gjinararin. E njëjta gjë i është kërkuar dhe Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku ka vendbanimin Gjinarari, por prej një muaji ky i dënuar megjithëse ishte në shërbim prove dhe duhet të paraqitej një herë në javë pranë këtij shërbimi, ai ka humbur gjurmët duke mos u arrestuar sot e kësaj dite. Lirimi i Gjinararit dhe më pas arratisja e tij, sjell edhe njëherë në vëmëndje sistemin e dobët të drejtësisë në Shqipëri, ku një i dënuar me 25 vite burgim për akuzën e vrasjes lirohet nga qelia për sjellje të mirë duke u vënë në shërbim prove dhe më pas, zhduket pa lënë asnjë gjurmë, duke ju fshehur drejtësisë. Në këtë rast dhe në konditat e lirimit, sjellja e mirë e Gert Gjinararit, që shërbeu për gjyqtarin Kuqo si shkak për ta liruar, nuk vlen asnjë gjë.

Një burim pranë policisë së Korçës, tha për “Shqiptarja.com” se për lirimin e Gjinararit nga burgu ka ndikuar influenca e një biznesmeni ndërtimi në qytetin e Korçës. Ndërkohë burimi shtoi se gjatë një muaji janë kryer disa kontrolle në Tiranë, Korçë dhe Durrës, me shpresën e arrestimit të Gert Gjinararit dhe kthimin me tij në qeli, por të gjitha ndërhyrjet kanë qënë pa rezultat. Gert Gjinarari u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, ndërsa akuzohet si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Naim Zyberit. Një pjesë të dënimit me 25 vite burgim Gjinarari e ka kryer në Itali dhe Shqipëri në burgun e Drenovës, por në 14 shkurt 2019 gjyqtari Markelian Kuqo vendosi ta lirojë me kusht mikun e Arben Grorit, duke urdhëruar që dënimin e mbetur ta kryejë në shërbim prove.