Eksperti e konfirmon për Report Tv: Pema e Piperit në qendër të Sarandës e mbjellë nga Naim Frashëri 145 vite më parë...(e harruar nga autoritetet)

29 Qershor 2020, 19:58 | Përditesimi i fundit: 2020-06-29 20:21:46

SARANDË- Pema e madhe e piperit në zemër të Sarandës është mbjellë nga dora e Naim Frashërit ...dhe këto nuk janë vetëm disa rreshta në librin e të ndjerit Moikom Zeqo. Banorët e thonë mes njëri- tjetrit si në formë gojëdhëne, por ajo është një fakt, të cilin e pohon edhe eksperti Jashar Bello, përgjegjës i Gjelbërimit në Bashki.

Pema është 145 vjeçare dhe është mbjellë në kohën kur Naim Frashëri punonte doganier në këtë qytet. Pavarësisht moshës, për ekspertin ajo është në gjendje jo shumë të keqe, por kjo nuk është meritë e institucioneve vendore në këtë institucion, të cilët janë "kursyer" në shërbimet që i kanë bërë, pavarësisht vlerës dhe rëndësisë së veçantë që ajo mbart. Disa krasitje, spërkatje i janë bërë si për ta mbajtur të gjallë, e që të mos ketë fatin e "simotrës" së saj, e cila u pre pas viteve '90. Bello rrëfen edhe veçantinë e kësaj peme, e cila edhe pse nga "zemra" e saj janë marrë edhe 5 rrënjë të tjera të mbjella te shëtitorja, ato arrijnë deri te lulëzimi, por nuk bëjnë kokrra.