Ekzekutimi i 32-vjeçarit me 2 emra në Durrës, pista kryesore e hetimit prishja e pazareve të drogës!

25 Janar 2021, 15:04 | Përditesimi i fundit: 2021-01-25 17:01:04

Detaje të reja dalin në dritë nga ekzekutimi me breshëri automatiku i 32-vjeçarit pasditen e djeshme në Durrës. Mësohet se në momentin e ekzekutimit, i riu Edmir Bregu, i cili mban dhe një tjetër emër, Ilir Kuçi po lëvizte me një makinë tip "Porsche Cayene".

Ai është me origjinë nga Kukësi por jeton në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Gjithashtu ai është i martuar dhe me fëmijë. Gazetari i Report Tv, Artur Korriku raporton se deri më tani në komisariat janë shoqëruar 10 persona, qytetarë që kanë qenë pranë ngjarjes apo dhe familjarë.

Por ata nuk kanë dhënë asnjë dëshmi që të shërbejë si indicie për policinë të hetojë. Aktualisht po hetohet në 3 pista, ku kryesorja është prishja e pazareve të drogës ku po hetohet dhe aktiviteti i 32-vjeçarit jashtë shtetit.

32-vjeçari u ekzekutua pasditen e djeshme në lagjen 16 në Durrës rreth orës 17:20 me breshëri automatiku. Ai është qëlluar me dy plumba, një në kokë dhe një në gjoks sapo ka zbritur nga makina e tij ndërkohë që autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja.

Krahas hetimit për prishjen e pazareve të drogës, autoritetet shqiptare po hetojnë dhe dy pista të tjera, atë të konflikte jashtë shtetit, kjo e përforcuar edhe nga fakti  viktima kishte ndryshuar edhe emrin. Pista tjetër është sherr i ditëve të fundit që ka agravuar deri në ekzekutimin e të riut.