Ekzekutimi i ish-të dënuarit politik në Tiranë, arrestohet shoku i vrasësit

17 Mars 2019, 17:55

Një ditë pas vrasjes tek Kodrat e Liqenit, policia ka arrestuar një person, i cili akuzohet se ka qenë me autorin në momentin e ekzekutimit, dhe nuk e ka kallëzuar krimin. Myftar Pasha, 56 vjeç ka pasur dijeni për vrasjen e Haxhi Baçinozit, 62-vjeçar, pasi është shok me autorin, ka qenë me të kur është kryer vrasja, dhe dyshohet ta ketë ndihmuar për t'iu fshehur drejtësisë. 

Baçinozi ishte duke shëtitur me djalin e tij kur u qëllua me armë nga një person, i cili pavarësisht errësirës, u arrit të identifikohej nga djali i viktimës, pasi njihej me babain e tij të ndjerë.

Autori i identifikuar si Islam Myrtaj, është shpallur në kërkim nga policia. Ai u largua nga vendi i ngjarjes me një motor, në drejtim të zonës së Saukut, dhe ende nuk ka rënë në pranga.

Nga hetimet e kryera deri më tani, policia dyshon që vrasja e Baçinozit, të jetë kryer për konflikte të vjetra mes tij dhe autorit. Ky i fundit dyshohet se i kishte marrë borxh një vlerë të konsiderueshme 62-vjeçarit, dhe konfliktet kanë nisur pikërisht për faktin se autori, Islam Myrtaj, nuk po i kthente lekët 62-vjeçarit, tashmë të vrarë prej tij.