Eliminimi nga Kupa shmang derbin, Partizani dhe Tirana humbin të ardhura të majme

13 Shkurt, 14:32

Ndryshe nga vitet e fundit këtë herë në statusin e kampionit të Shqipërisë pritej që Partizani të tregohej një skuadër serioze në Kupën e Shqipërisë, aq më tepër që shorti në çerekfinale i kishte rezervuar derbin me Tiranën. Kjo nuk u arrit pasi ekipi i drejtuar nga Sormani pavarësisht fitores 3-1 në ndeshjen e kthimit u eliminua në 1/8 si pasojë e humbjes 3-0 në ndeshjen e parë në transfertë kundër Besëlidhjes.

Ky eliminim ka sjellë edhe reagimin e ashpër të tifozëve ultras, ‘Ultras Guerrils’, të cilët i drejtohen skuadrës dhe drejtuesve duke u thënë se ‘Kupa u mbush’. Sipas Guerrilsave Partizani në çdo sezon e ka përdhosur Kupën e Shqipërisë, ndërsa në sfidat e fundit ekipi ka qenë i shpërfytyruar.

Përveç aspektin rezultativ Partizani me eliminimin nga Kupa ka humbur edhe disa të ardhura të majme. Në rast se do të kalonte në çerekfinale me Tiranën, dy takime të cilat me shumë gjasë do të luheshin në Air Albania, fitimet do të ishin më se të kënaqshme duke patur parasysh nivelin e futbollit shqiptar.

Në derbin e 13 dhjetorit stadiumi ‘Air Albania’ ishte thuajse në kapacitetin maksimal, pasi të pranishëm ishin 19 mijë e 32 tifozë, në një kohë kur një pjesë e tribunës ishte e mbyllur për shkak siguria. Duke patur parasysh çmimet e biletave fitimet kanë qenë mjaft domethënëse për një skuadër shqiptare pavarësisht se në rastin konkret Partizani një pjesë të të të ardhurave i dha për të prekurit nga tërmeti.

Gjithsesi futbolli është i bukur pasi gjithmonë rezervon surpriza. Në çerekfinale tani Tirana do të përballet me Besëlidhjen trajneri i të cilëve dje pas takimit me Partizanin u shpreh se ‘nuk prishet bukuria e Kupës se s’ka derbi’.

Kategori të tjera