Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 28 Tetor 2026, Receta/ Altin Joka: Megafarmacia e shëndetit në 3 përbërës

28 Tetor, 16:17 | Përditesimi: 28 Tetor, 16:17

Zonja Mirela solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me palosje me spinaq dhe djathë / ‘Supa e jetës’ me panxhar, karrota, patate dhe xhenxhefil / Ëmbëlsirë me ftua të aromatizuar me hibiskus.

Shëndeti ynë nis nga brenda, dhe zorrët luajnë një rol shumë më të rëndësishëm në mirëqenien tonë sesa mund ta mendojmë. Nga mënyra si tretim ushqimin dhe përthithim lëndët ushqyese, te ekuilibri i mikrobiomës së zorrëve, gjithçka lidhet ngushtë me atë që vendosim çdo ditë në pjatën tonë. Probiotikët, prebiotikët, enzimat tretëse… janë terma që i dëgjojmë gjithnjë e më shpesh, por a e dimë vërtet çfarë janë, si funksionojnë dhe çfarë roli kanë në shëndetin tonë? A na duhen të gjithëve suplementet, apo kujdesi për zorrët fillon me zgjedhjet e përditshme ushqimore? Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe për të kuptuar më mirë se si mund të kujdesemi për shëndetin e sistemit tonë tretës, diskutojmë në Rreze Dielli me nutricionistin Altin Joka, specialist i mjekësisë holistike. Me të do të flasim për ndryshimin mes probiotikëve dhe prebiotikëve, ushqimet që ndihmojnë në ruajtjen e një mikrobiome të shëndetshme dhe rolin e enzimave tretëse. Do të ndalemi edhe te shqetësime të zakonshme, si fryrja, gazrat dhe rëndesa pas ushqimit, për të kuptuar kur mund të jenë sinjale që nuk duhen neglizhuar. Dhe, mbi të gjitha, do të përpiqemi të zbulojmë se cilat janë ndryshimet e thjeshta, por të rëndësishme, që mund të bëjmë që sot në mënyrën tonë të të ushqyerit për t’u kujdesur më mirë për shëndetin e zorrëve.

MC/Shqiptarja.com