Erion Veliaj dhe Lorik Cana shtrojnë iftar për besimtarët myslimanë

19 Maj 2019, 16:06

Në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-kapiteni i skuadrës kombëtare të futbollit, Lorik Cana, shtruan iftar për besimtarët myslimanë që agjërojnë në Muajin e Ramazanit. Në darkën e përgatitur enkas për ta në Qendrën Rinore në rrugën “Myslym Shyri”, kryebashkiaku Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës ka gjithmonë vëmendjen tek njerëzit në nevojë, të moshuarit, të pamundurit dhe grupet e ndryshme sociale, për të krijuar edhe për ta një mjedis të ngrohtë familjar.

“Jam sot shumë i lumtur për disa arsye: Shpesh herë festat dhe darkat i bëjmë për personalitete, drejtues të fesë, ambasadorë, por gjëja që më jep mua më shumë kënaqësi, jam i sigurt edhe Lorikut, është kur respektin dhe nderimin e bëjmë për ata që vijnë në qendrat tona sociale, ku bëhet një punë jo vetëm gjatë Ramazanit, jo për Krishtlindje a Pashkë, jo vetëm për Bajram, por çdo ditë, me të njëjtin pasion, dashuri e përulësi”, tha ai.

Veliaj shprehu mirënjohjen për përkushtimin në këtë detyrë fisnike edhe të stafit të qendrave sociale të Bashkisë së Tiranës, të cilët ndihmojnë shumë prej atyre që janë në vështirësi dhe kanë nevojë për mbështetje.

“Për të gjithë djemtë e vajzat e qendrave tona sociale, Perëndia ju bekoftë dhe ju pranoftë agjërimin: Ju pranoftë gjithë shërbimin tuaj të mrekullueshëm ndaj qytetarëve më në nevojë të Tiranës dhe besoj, të gjithëve na buron si këngë nga zemra, kënga e mirënjohjes dhe respektit për punën dhe përkushtimin tuaj”, deklaroi ai.