'EU Justice'/ 1000 raste të dizinformacionit online nga Rusia

15 Qershor 2019, 14:27

Vera Jourova, komisarja evropiane e drejtësisë, konsumatorëve dhe barazisë gjinore, ka pohuar se që nga fillimi i vitit 2019  ka pasur 1000 raste të përfshirjes së Rusisë në shpërndarjen e dizinformacionit online.

 Në një konferencë për shtyp kundër dizinformimit dhe konkluzioneve të nxjerra nga zgjedhjet evropiane, Jourova tha se: "Pas një seri polemikash në zgjedhje apo referendume të ndryshme të zhvilluara në Europë, jemi të vetëdijshëm të rreziqeve potencial të dizinformacionit online dhe për këtë kemi vendosur të reagojmë në varësi të situatës, në veçanti në rastet e zgjedhjeve në Europë. Edhe zgjedhjet e fundit europiane nuk i shpëtuan dot shumë rasteve të dizinformacionit nga account fals dhe kemi parë që aktorët e përhapjes së informacioneve të rreme ndryshojnë vazhdimisht taktikë. Janë më së shumti rusët aktorët e këtyre lojrave me qëllim për të mbështetur pikëpamjet ekstremiste dhe për të polarizuar debatet lokale. Që nga janari i këtij viti ata kanë qënë aktivë përmes të paktën 1000 rasteve të evidentuara”.

Jourova tha gjithashtu se një raport i plotë mbi çështjen, si pjesë e një beteje më të gjerë kundër disinformimit online, do të publikohet në muajin tetor dhe do të përfshijë reagime të aktorëve shtetërorë, partitë politike dhe platformat informatike. Qëllimi ynë është transparenca

Ndërhyrja ruse në mediat e demokracive perëndimore ka shkaktuar një luftë të re të ftohtë. Sipas "The Economist", për Perëndimin,Vladimir Putin duket se ka projektuar dhe financuar një makinë disinformuese masive që përdor lajme të rreme të llojeve të ndryshme për të krijuar konfuzion, që nxitin frikë dhe ndezin dallimet e vjetra, me një qëllim lëkundjen e demokracive perëndimore. Që Kremlini ka krijuar fabrika të vërteta të dizinformimit, nuk është asgjë e re. Ajo që duhet të na frikësojë për vdekje, sipas “The Economist”, është fakti se me përjashtim të Gjermanisë, Francës dhe Finlandës, asnjë demokraci tjetër në Europë, nuk duket të jetë në gjendje të mbrohet nga informacione të rreme që po bëhen gjithnjë e më të fëlliqura./Përgatiti Ilir Çuçi

m.v.