Europa League/ M.United dhe Villareal një hap larg gjysmëfinaleve! Roma, Ajax dhe Arsenal me llogari të hapura

15 Prill 2021, 12:48

Një javë pas fitores 1-2 në Amsterdam Roma do të presë sonte në Olimpico Ajax-in, që kërkon përmbysjen për të prerë një biletë në gjysmëfinale të Europa League. Si holandezët ashtu edhe italianët vijnë me shumë mungesa ku për Romën siç duhet mungon shqiptari Marash Kumbulla, Zaniolo, Spinazzola, Smalling, El Sharaway dhe Bruno Peres.

Sakaq te Ajax për trajnerin Erik ten Hag do jetë të padisponueshëm Onan dhe Rensh për shkak kartonash, ndërsa të dëmtuar janë Blind, Heller dhe Mazroui. Për Romën Europa League është mundësia e vetme për të kapur Champions-in sezonin e ardhshëm, ndërsa Ajax thuajse ka mbyllur gjithçka për titullin në Hollandë.

Ndërkohë një këmbë në turin tjetër e ka hedhur Manchester United që sonte pret Granada-n, skuadrën të cilën e mposhti 0-2 në ndeshjen e parë. Edhe pse me disa mungesa si Martial, James dhe ndoshta Rashford kualifikimi për skuadrën e Solskjaer nuk pritet i vështirë.

Gjithashtu edhe Villareal e ka bërë gjysmën e punës në ndeshjen e parë, pasi ka fituar 0-1 kundër Dinamo Zagreb. Pavarësisht kësaj, por edhe faktit që sonte luan në Spanjë, Villareal duhe të qëndrojë vigjilente për shansin më të madh të sezonit.

Sakaq përballja tjetër mes Slavia Pragës dhe Arsenal është me shumë enigma, për faktin se çekët barazuan 1-1 në ndeshjen e parë. Në 90 minutëshin e dytë skuadra e Arteta-s synon me patjetër kualifikimin, pasi është mënyra e vetme për të shpëtuar sezonin. Jo vetëm trofeu, por edhe për kualifikimin në Champions League kjo është mënyra e vetme.