Familja e minatorit në Bulqizë hap dyert e mortit, gruaja: Kam tre vajza, shteti të më ndihmojë!

25 Shkurt 2021, 11:03

Gruaja e minatorit Fiqiri Karaj, i cili humbi jetën një ditë më parë pasi u aksidentua teksa po punonte në një minierë kromi, tha për Report Tv se ato nuk kanë asnjë të ardhur veç rrogës që siguronte 47-vjeçari, dhe se kërkon ndihmë nga shteti.

Fatbardha Karaj tha se për lajmin e hidhur e kishte telefonuar kunata, ndërkohë që shtoi se i shoqi nuk i ishte ankuar ndonjëherë se ka kushte të vështira në punë.

'Një vit e ca. Ka pas punuar në Krastë, atje e mbylli se nuk paguheshin. Kam tre goca, nuk kemi asnjë të ardhur, kam një gocë të sëmurë, me probleme çdo dy muaj shkoj në Tiranë. Kërkoj çfarë të jetë e mundur. Shtëpi nuk kam, asgjë nuk kam. Më mori kunata në telefon ajo më gënjeu më tha kam fëmijën e sëmurë dhe unë e mora dhe një herë dhe më thanë pastaj ka vdek burri. Kaq! Nuk thoshte që është vështirë shumë, nuk ankohej asnjëherë. Ka shumë vite që ka punuar. U mundua të futet tek shtetërori dhe nuk u bë gjë dhe u fut tek privati prap.'- tha ajo.

Ndërkohë Margjela Mera, një e afërme e familjes tha se ai kishte dy muaj që nuk kishte marrë rrogën.

'Ma fukara mo nuk ka ku me shku! Nuk ka tre cuca, pa asnjë lloj të ardhmja. Jo asnjë lloj të ardhmja, dhe lekët nuk i ka pas marrë akoma tek ky pronari. Prej dy muajsh. Nuk di çfarë të thuash. Njërën e ka të fejuar, tjetrën e ka të sëmurë dhe ka dhe një të vogël.'- tha fqinja.