Familja me 5 anëtarë në çadër pas tërmetit, kryefamiljari i paralizuar: S'largohem dot nga fshati, kam gjënë e gjallë

18 Dhjetor 2019, 17:21

LEZHË- Familja me 5 anëtarë në Pllanë të Lezhës jeton prej më shumë se 2 javësh në një çadër pasi tërmeti i 26 nëntorit i dëmtoi shtëpinë.

Kryefamiljari Valentin Vuka është i paralizuar, ai qëndron në një karrige me rrota. Në këto kushte jetesa në çadër bëhet edhe më e vështirë për të dhe familjarët. Çifti i bashkëshortëve  kërkojnë ndihmë nga institucionet përkatëse. Ata shprehen se nuk mund të largohen nga fshati për shkak të gjësë së gjallë.

Shumë vështirë, më kalamaj me gruan këtu në çadër, na kanë ofruar po ku të shkojmë, ku ti lë unë këto bagëti. Është e pamundur, banesa ka mbaruar, jashtë përdorimit”, thotë kryefamiljari Valentin Vuka.

“Shumë vështirë, në pik të dimrit të rrish në çadër, s’ka më keq. Nuk përballohet dimri me qen shëndosh e mirë e jo me të sëmurë në shtëpi. Apeli im që sa më shpejt me më bo një ndërtesë, të fut fëmijët’, tha Albina Vuka.

Në fshatrat e Njësisisë Administrative të Zejemit tërmeti ka dëmtuar rëndë një numër të konsiderueshëm banesash.  Shumë familje vijojnë të rrezikojnë jetën, duke qëndruar në shtëpitë e shkatërruara, ata thonë se ende nuk ju është siguruar një vendstrehim.

“Shtëpia është e mbaruar për Zotin, vetëm të rri dhe të më zërë brenda. Me frikë, e trishtuar. Kanë ardhur dje dhe na kanë thënë mos të rrimë brenda asnjë minutë", thotë një nga banoret.

Ndërkohë Bashkia Lezhë vijon punën në terren për verifikimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Banorët të cilët kanë ngelur të pastrehë pas tërmetit mund të aplikojnë për bonus qiraje.

    No videos found.