Thumanë, me këmbën e operuar, 9-vjeçarja dy orë rrugë për të shkuar në shkollë

22 Shtator 2020, 17:30 | Përditesimi i fundit: 2020-09-22 20:35:01

Është 9-vjeçe dhe bën çdo ditë dy orë rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë. Si kjo vogëlushe janë dhe 20 fëmijë të tjerë të fshatit Shkozë-Bardhë të cilët çdo ditë përshkojnë 10 kilometra nga fshati i tyre në shkollën e Thumanës.

“Jam në klasë të tretë. Shkojmë në shkollë në këmbë për 1 orë dhe 1 orë tjetër e bëjmë për të ardhur”, tregon vajza.

Nëna e 9-vjeçares, Luljeta Bajrami mes dhimbjes tregon se e bija ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë dhe së afërmi duhet të bëjë ndërhyrje edhe në këmbën tjetër.

“Gocën e kam të sëmurë, gocën e kam me operim në këmbë dhe tani i duhet të bëj operim dhe këmbën tjetër me çfarë të shkojë. Dy fëmijë i kam paradite dhe dy i kam pasdite. Fëmijët e bëjnë rrugën për 1 orë. Jemi në kushte shumë të vështira, rrimë në çadër se kemi frikë të rrijmë brenda. Me thënë të drejtën unë jam invalide vetë dhe ekam shfrytëzuar invaliditetin tim për fëmijët”.

Kjo është sfida e përditshme për tu arsimuar e kësaj vajze me probleme shëndetësore dhe sociale. Familja Bajrami jeton në kushte të vështira, mbetur në ccadër që prej termetit të 26 nëntorit.

Fshati Shkozë-Bardhë, apo si njihet ndryshe Fushë-Thumana nuk ka një shkollë. Fëmijët e këtij fshati mësojnë me turne në shkollën e Thumanës, duke ecur ccdo ditë në shi apo diell në këmbë.

Teksa historia u raportua LIVE në Report TV erdhi dhe reagimi nga Bashkia e Krujës, e cila premtoi se do të japë bonusin e transportit për banorët e këtij fshati.

Report Tv do ta ndjekë sërish problematikën e transportit për nxënësit e Shkozë-Bardhës në Thumanë.