Festa e Krrabës, panair agroushqimor dhe shumë aktivitete për promovimin turistik të zonës

24 Mars 2019, 16:28

Një fundjavë ndryshe, afër natyrës dhe ushqimit bio të zonës, por jo larg kryeqytetit! Krraba mikpriti sot dhjetëra qytetarë të ardhur nga Tirana dhe zonat përreth për të festuar ardhjen e pranverës, përmes një sërë aktivitetesh që promovojnë natyrën, vlerat agroturistike të zonës, si dhe nxisin qytetarët që të konsumojnë sa më shumë prodhime të vendit, si mënyrë e mirë për të ndihmuar ekonominë lokale. Për këtë qëllim, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit kishin organizuar aktivitete për çdo moshë nën ritmet e muzikës folklorike, piknik, hiking, sporte të ndryshme, panair – agroushqimor dhe shumë argëtim.

Festës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falenderoi Krrabën për mikpritjen dhe u shpreh se ky është një ogur i mirë edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore të 30 qershorit. “Është gjithmonë kënaqësi të vij në Krrabë. E para, se fushata më ecën mbarë. Kështu, e nisa dhe herën e fundit dhe shkoi perfekt. Jam i bindur se kështu do shkojë edhe kësaj here. Kush ka ardhur nga njësitë e tjera, duhet ta dijë se ka ardhur në një nga zonat më mikpritëse, me traditat më të forta, me rrënjë në familje, me kulturë, me njerëz që e duan këtë vend. E filluam me “Dajti n’Fest”, para dy ditësh kishim festën e Farkës, sot festën e Krrabës; ajo që duam të bëjmë është t’i nxjerrim ata që janë në mes të Tiranës, t’u themi dilni, shihni natyrën, takoni njerëz të mirë, konsumoni produkte bio, harxhoni pak lekë, që të fuqizoni komunitetin tonë. Kur dikush blen një produkt lokal, qoftë një kavanoz mjaltë, një shishe raki, pak vaj, nuk është duke blerë vetëm produkte për kuzhinën, por është duke ndihmuar ditë të çojë fëmijën në shkollë, t’i blejë rroba dhe libra. Ndaj kush konsumon produkte lokale, ka konsumuar aktin më të madh të patriotizmit ekonomik që kemi nevojë sot”, tha Veliaj.