Festimet për Natën e Bardhë në Tiranë, momenti kur hidhen fishekzjarret

30 Nëntor 2018, 14:38 | Përditesimi i fundit: 2018-11-30 14:55:12

Nata, edhe këtë 29 nëntor ishte e bardhë. Ngjyrës së kuqe të Festave Kombëtare iu shtua vitaliteti këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej” edhe prej atmosferës së festave të fundvitit. Nata e Bardhë festive përveç numrit të konsiderueshëm të qytetarëve, rrëfen një dominancë artistesh femra, që ndezën atmosferën në skenën e improvizuar në shesh.Këngëtarja Elhaida Dani solli në skenë tinguj të artë për dashurinë, duke rikrijuar edhe atmosferën e Eurosongut. 
 
Kuq e zi, Vesa Luma pas një mungese të gjatë erdhi më zërin e saj të ëmbël tek publiku kryeqytetas. 
 
Ndërsa, Aurela Gaçe, energjike, duke vërtetuar se sfidën me vitet e ka fituar tanimë dhe sundimtar është sigurisht vokali i saj. Këngëtarja arriti të ndërveprojë me publikun, duke i bërë edhe ata pjesë të kolazhit të këngëve ku ritme popullore e moderne vallëzojnë në harmoni.