Festivali XI në Bunk’art 1, protagonistët: Është festivali më i bukur edhe më shqiptar, që është bërë ndonjëherë

10 Dhjetor 2019, 22:27

Festivali i 11-të, në mbrëmjen e dytë risolli në skenën e improvizuar të Bunk’Art1 7 këngë të tjera nga ngjarja më e zhurmshme artistike e diktaturës.  7 këngë ku arti flet me të vetmen gjuhë që nuk i rri ngushtë, atë të lirisë, të ndjesive personale, të shpresës e mendimit futurist. Kjo shprehi faqebardhë, që fillimisht u lëvdua mendimi gati “uniform” i popullit, sapo ndjeu zemërimin e udhëheqësit Enver Hoxha edhe të sërës së tij, iu kthye artistëve kundër, duke shënjuar fatet e tyre.

Justina Aliaj, si 47 vite më parë befason publikun, e ndalon në Bunk’Art për të treguar përjetimin e saj. Më shumë se 18 vite e privuar nga aktrimi e kënga, bukuria e talentit të saj, hijeshia e artistes, kishte verbuar logjikën e diktatorit.

Kënga është e popullit edhe do të këndohet me ne edhe pa ne. E rëndësishme është të jetë në kujtesën tonë. Kanë kaluar shumë vite, ka dhimbje edhe nostalgji, por mund të them pa frik se kemi bërë art, kemi bërë melodi", shprehet këngëtarja Justina Aliaj.

Të trembur qenë asokohe edhe nga dedikimet e pastra të dashurisë, ndaj këngëtarit të ri Hilmi Hoxha që këndoi “Vajza e qelqeve” , nuk i lejuan më të këndojë në asnjë festival. Të ashpër qenë edhe me artistin Dorian Nini që me talentin e tij kishte tërhequr vëmendjen e Çesk  Zadesë, por për ato ritme modern që i dha këngës “Shoqja ime më e mirë” ai do të dërgohej në Rrëshen, ku do të ngrohte zemrat  e vendasve me muzikën e tij, duke u bërë një nga njerëzit më të dashur për ta. Por historia nuk duhet të harrohet, ndaj në vend të tij, ngjarjen e tregon i biri.

Në këtë udhëtim pas në kohë, përgjegjësi teknik i audios së festivalit, Spiro Konduri tregoi gjatë mbrëmjes disa nga të pathënat e kësaj tentative të çmendur për t’i vënë pranga artit.

“Një veçanti ishte që ka qenë festivali i parë që në skenë ishin katër formacione orkestrale. Ishte festivali i parë që ishin bërë regjistrimet para se të shkonin në sallë. Të tjerat janë regjistrime nga salla”, shprehet Konduri.

Ndërsa, zëri i Irma Libohovës arrinë tek publiku nëpërmjet një serenate. Violina e Olen Cesarit qetësojnë shpirtrat e atyre që s’janë, luan “Ave Maria” edhe për ata që s’mundën, gati si një filiz shprese i çelur në Shqipërinë e diktaturës, ku çdo formë lirie vihej në gijotinë.