Fiskalizimi, Denaj nga Fieri: Lufton informalitetin, vaksinimi shpresë për biznesin

21 Janar 2021, 14:44 | Përditesimi i fundit: 2021-01-21 19:21:38

Fiskalizimi do të hapë një epokë të re për shqiptarët. Dhe për t'i treguar sa më natyrshëm rezultatet e këtij procesi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u takua në qytetin e Fierit me përfaqësues të Enteve Publike. “Për sa i takon fiskalizimit, ne flasim për një proces, i cili ka nisur me entet publike dhe ky është edhe objektivi i takimit të sotëm. Ka në thelb këtë vit finalizimin e shumë instrumenteve, të cilat duke u integruar së bashku do të ndërtojnë një̈ produkt për të mbështetur, jo vetëm biznesin në shërbime më avangardë, por duke luftuar informalitetin dhe evazionin. Kjo është një punë e përbashkët e gjithë institucioneve të përfshira”, theksoi Denaj.Ministrja Denaj nuk la pa përmendur edhe situatën e vështirë ekonomike në të cilën po kalon vendi dhe sipërmarrja, por ajo shpreson se vaksinimi do të ndryshojë atë për mirë. “Ne nuk flasim për një vit normal por projektojmë për një vit normal. Edhe ky do të jetë një vit i vështirë sepse pandeminë e kemi mes nesh. Vaksinimi është një lajm i mirë”, u shpreh Denaj. Pjesë e takimit drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj tha se në qytetin e Fierit janë të regjistruar 406 ente publike, të cilat vetëm 7 prej tyre nuk janë trajnuar ende për përdorimin e portalit “Self Care”, që mund të përdoret pa pagesë nga bizneset për të lëshuar fatura. Fiskalizimi ka nisur me 1 janar të këtij viti fillimisht për faturat që kompanitë lëshojnë drejt shtetit.