Fitorja me Vllazninë, zv/trajneri i Kukësit: Jemi për titull, ky rezultat dedikim për Gegën

30 Nëntor 2020, 13:47

Vllaznia të dielën pësoi humbjen e parë në Superligë në javën e pestë të kampionatit kundër Kukësit, një skuadre e cila po merr veten nga ajo nisje katastrofie. Shkodranët u dorëzuan me rezultatin 2-4, ndërsa pas ndeshjes trajneri thotë se Kukësi ishte perfekt në kundërsulm.

“Të luash kundër Kukësit është gjithmonë e rrezikshme sepse kanë një kundërsulm shumë të frikshëm dhe e përdorën mirë këtë armë. Kur luajmë në sulm duhet ta dimë që rrezikojmë të kapemi në kundërsulm dhe sot ndodhi 2-3 herë kjo gjë,”-shprehet Thomas Brdariç.

Ndërkohë në kampin kundërshtar, zëvëndës trajneri i Kukësit Rrahman Hallaci, nuk e bën të madhe fitoren me Vllazninë, ndonëse ky është trepikëshi i dytë për verilindorët deri më tani.

“Pavarësisht se morëm dy humbje në nisje asgjë nuk ishte shqetësuese sepse kishim folur me skuadrën dhe drejtuesit. Thjesht na duhet pak kohë sepse cilësia, kualiteti është, por ka lojtarë të rinj që kanë ardhur.”

Cilat janë objektivat e Kukësit këtë sezon?

“Kukësi dihet për objektivat që ka. Një skuadër që investon gjithmonë me shifra të mëdha mendoj se është gjithmonë për të kapur kreun e klasifikimit. Gjithmonë Kukësi ka hyrë për trofe dhe gjithmonë jemi në këtë rrugë, por duhet t’i marrim gjërat me radhë.”

Hallaci më tej thotë se fitoren ia dedikojnë Skënder Gegës, trajnerit të ekipit që ndodhet në Turqi për kurim nga koronavirusi.

“Profesor Gega është arkitekti ynë, flasim vazhdimisht me të për çdo detaj. Bëjmë videoanalizën, konsultojmë me profesorin. Fitorja është për të, më pas vjen stafi dhe lojtarët."

Ndonëse në terapi të vazhdueshme një foto e Gegës teksa shihte ndeshjen e Kukësit me Vllazninë nga spitali në Turqi bëri shumë përshtypje në rrjet.