Flasin të larguarit nga PS-ja/ Ditmir Bushati: S'luftoj për ofiqe, por flas më vonë! Nikolla: Nuk jam e mërzitur

23 Korrik 2019, 18:53

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati pas largimit nga posti i koordinatorit në qarkun e Shkodrës për Partinë Socialiste foli për herë të parë pas daljes nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të socialistëve.

Ai tha nuk ka rëndësi posti, por vendosmëria për të çuar përpara projektet për Shkodrën. Ndërsa në fund bëri edhe një paralajmërim duke thënë se do të ketë komunikime të tjera për këtë cështje, por edhe të tjera.

"E para ju falenderoj për durimin, të jeni të qetë, do të kemi edhe komunikime të mëtejshme për këtë dhe cështje të tjera. Unë di të them që nuk ka rëndësi nëse kam më post apo jam pa post, e rëndësishme është për cfarë cështjesh luftoj dhe për cfarë pikëpamjesh mbroj. Mungesa e ofiqit më bën të jem edhe më i vendosur për të çuar përpara projektet dhe idetë për Shkodrën" tha ai.

Lindita Nikolla tha se nuk është mërzitur nga largimi si koordinatore e qarkut të Lezhës dhe shtoi se nuk ishin rezultatet e 30 Qershorit shkaku i largimit nga posti. "Lezha është aty, dhe unë jam deputete e Lezhës, nuk ka asnjë lloj mërzitje përveçse përgjegjësive të reja për të punuar më mirë. Nuk keni pasur rezultatet të mira? Nuk ishte kjo arsyeja" tha ajo, ndërsa nuk iu përgjigj pyetjes se cila ishte arsyeja e lëvizjes.

Për gazetarët foli edhe Elisa Spiropali, që mori bashkëdrejtimin e qarkut të Tiranës bashkë me Ervin Bushatin. "Po punojmë po njëlloj me të njëjtin intensitet, rezultate të reja dhe më të mira. Kaq mund të themi" përfundoi ajo.