Fushata për tetorin rozë/ Edhe djemtë nga Kosova dhurojnë flokë për gratë me kancer në gji

9 Tetor 2019, 14:04

Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit, dhe është padyshim një nga muajt ku zhvillohen aktivitete të rëndësishme përsa i përket mobilizimit për të mbështetur të prekurit nga kjo sëmundje.

Të ftuara në “Rreze Dielli” aktivistja Sonila Dubare dhe përfaqësuesja e organizatës “Europa Donna Albania” Donjeta Zeqa, thonë se trajtimi i kësaj sëmundje nis së pari nga vetja, pasi zhytja në pesimizëm vetëm sa e vështirëson fitimin e betejës me kancerin e gjirit.

Sonila Dubare është një nga ata vajza që i është bashkuar kauzës për të dhuruar nismës për dhurimin e flokëve për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit. Prej 3 vitesh ajo përpiqet të ndërgjegjësojë vajzat e tjera që t’i bashkohen kësaj kauze, pasi sipas saj gjërat e vogla që bëhen me dashuri të madhe, kanë një vlerë të veçantë.

Kam nisur t’i pres flokët për t’i dhuruar para se të dija për nismën e “Europa Donna Albania”  në Shqipëri. Rastësisht rashë në kontakt me Donjetën dhe i dhurova. Parukja ka një vlerë të veçantë për gratë e prekura nga kanceri i gjirit pasi i rrit vetëbesimin. Flokët rriten shumë shpejt është e lehtë për t‘i dhuruar, është e lehtë ti shesësh, por janë disa gjëra të vogla, sic thotë Nënë Tereza që bëhen me dashuri të madhe. Edhe nëse nuk dhuroj dot vetë flokë, do nxis edhe vajzat e tjera apo djemtë që të dhurojnë, madje djemtë mund të dhurojnë edhe më lehtë”-thotë Sonila Dubare

Përfaqësuesja e organizatës “Europa Donna Albania” Donjeta Zeqa sjell një tjetër fakt interesant. Ajo thotë se ka shumë raste kur djemtë dhurojnë flokë, madje një numër i madh prej tyre janë nga Kosova.

Shqiptarët e Kosovës kanë sjellë me anë të postës flokë të dhuruar, ata janë shumë të interesuar, në Kosovë nuk kemi një organizatë, por kemi bashkëpunime të shumta”, shprehet Zeqa.

Zeqa tha ndër të tjera se “Europa Donna Albania”, organizatë e cila punon për të rritur ndërgjegjësimin për kancerit e gjirit dhe për të mobilizuar mbështetjen e grave për të ushtruar më shumë presion për përmirësimin e edukimit lidhur me kancerin e gjirit, do të organizojë një sërë aktivitetesh që nuk kanë të bëjnë vetëm me dhurimin e flokëve por edhe mbledhjen e donacioneve në ndihmë të femrave të prekura nga kanceri i gjirit.