Gangrena disavjeçare e durrsakëve, nis rikonstruksioni i rrugës Durrës-Shijak

19 Prill 2019, 19:19

Aksi rrugor Durrës-Shijak, një gangrenë disavjeçare e banorëve dhe përdoruesve të këtij aksi, i është nënshtruar rikonstruksionit. Investimi ka nisur me rrjetin e ri të ujësjellësit dhe sistemimit të kanalizimeve në këtë zonë. Ky investim parashikon zëvendësimin e linjës së vjetër me një të re. 

Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Ujësjellës Kanalizimeve Alqi Bllako, tha se krahas rrjetit kryesor do të realizohet edhe rrjeti shpërndarës për një zonë që ka pasur problematika të shumta

"Ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve Durrës ka parashikuar   një investim për rehabilitimin e ujësjellësit nga Mulliri i Bullgarit deri ne hyrje te qytetit të Shijakut. Një rrjet tërësish i amortizuar, i investuar para viteve '90, i dëmtuar në të gjithë gjatësinë e tij e ka bërë e pamundur furnizimin me ujë në vazhdimësi për banorët e këtyre zonave e bizneseve dhe si pasojë e rrjedhjeve ka ndikuar edhe ne ndërtimin e infrastrukturës rrugore", tha Bllako.

Ndërkohë, Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato bëri me dije se menjëherë pas investimit të ujësjellësit do të merren masa për nisjen e rikonstruksionit të rrugës.

"Çdo investim qe mund te bënte ARRSH sikurse po behet tani për rrjetin e ujësjellës kanalizimeve dhe kullimin e ujërave do te ishte e pamundur qe te realizohej një infrastrukture qe të ruante  qëndrueshmërinë e rrugës, ndaj fillimi i këtyre punimeve  është diçka shumë e mirë për banoret e zonës ndërsa për ARRSH hapet rruga për të ndërhyrë  menjëherë dhe për të filluar asfaltimin dhe sistemimin e kësaj rruge që është plotësisht e amortizuar", tha Qato. 

Nga ky investim do të përfitojnë rreth 2 600 banorë.