Gara për Gjykatën e Lartë, përfundon faza e verifikimit në vetting të kandidatëve jo gjyqtarë

13 Gusht 2019, 11:30 | Përditesimi i fundit: 2019-08-13 22:21:56

Pas zyrtarizimit të 22 kandidatëve që garojnë për 3 vende në Gjykatën e Lartë, KLGJ nisi menjëherë Vettingun për ta, me miratimin e relatorëve.

Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor konfirmojnë se tashmë ka përfunduar vetëm faza e parë që është verifikimi i vërtetësisë së dokumentacionit të dorëzuar nga kandidatët.

Verifikimi për 22 kandidatët është bërë nga inspektorati i pasurisë (ILDKPKI), Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), si dhe nga Prokuroria e Përgjithshme.

E ndërsa faza e dytë e hetimit, e cila do të përfundojë më datë 5 Shtator është  faza që të tre këto institucione do ti argumentojnë me shkrim KLGJ-së gjetjet për çdo kandidat, si në pastërtinë e figurës, problemet që mund tu kenë dalë për pasurisë, apo dhe ndjekjet penale, nëse kanë qënë ose jo ndonjëherë në hetim.

Gjykata e Lartë duhet të funksionojë me 19 anëtarë, ku 16 prej tyre duhet të jenë gjyqtarë karriere dhe 3 nga avokatia, shoqëria civile, pedagogë ose jurist i shquar me mbi 15 vjet punë.

Të parët që do të zgjidhen për anëtarë të kësaj gjykate, do të jenë 3 anëtarët që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë.

Në listën e 22 kandidatëve gjendet edhe emrat e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushaj, si dhe njerëz që vijnë nga bota akademike, si Ervin Pupe dhe Kestrin Katro apo edhe ish-zyrtarë të ish-KLD si Ilir Panda.