Gati sportelet, të hënën nis kalimi me pagesë në Rrugën e Kombit, dy pista të dedikuara për banorët e Kukësit

12 Shtator 2018, 14:20 | Përditesimi i fundit: 2018-09-12 18:07:23

Ditëve pa pagesë në “Rrugën e Kombit” po u vjen fundi. Në datë 17 shtator në sheshin e pagesave do të futet në fuqi tarifa për kalimin automjeteve. Kompania që ka marrë me koncesion këtë shërbim, i ka bërë të gjitha përgatitjet në 10 sportelet e vendosura në afërsi të tunelit të Kalimashit.

E gjithë struktura e sheshit të pagesës është ndërtuar bashkë me zgjerimin e zonës. Aktualisht sipas kompanisë koncensionare po bëhet koalidimi i pistave për çdo automjet si dhe trajnimi i 30 punonjësve  të sheshit të pagesave të gjithë nga Kukësi, nga inxhinierë italianë. Nga Kukësi, janë edhe 40 punonjës të tjerë për mirëmbajtjen e rrugës së kombit dhe shërbime të tjera.

Me 17 shtator çdo gjë do të jetë gati. Gjithçka po ecën mirë dhe pa asnjë problem deri më tani nuk është paraqitur. Kanë përfunduar të gjitha montimet e sistemit elektrik dhe elektronik në të 10 pistat, ku janë 5 pista në njërin sens dhe 5 të tjera në sensin tjetër. Cdo gjë është e përfunduar dhe është gati. Po bëhen kualidimet për çdo kategori mjetesh nga motoçikleta deri te mjetet e rënda. Janë dy pista të dedikuara për banorët e Qarkut të Kukësit. Pista 1 për sensin Kukës-Tiranë dhe pista 10 për sensin Tiranë-Kukës. Cdo targë dhe mjet i qarkut të Kukësit është në sistem dhe çdo banorë do të verifikohet dhe do të paguajë tarifën e reduktuar. Punonjësit në sheshin e pagesave janë të gjithë nga Kukësi. Momentalisht është duke u bërë edhe trajnimi i tyre, si operatorëve dhe stafit që do të mirëmbajë pistat dhe objektin e sheshit të pagesave

Klajdi Gorea-Inxhinier