Gatime nga zonja Albana , Imam Bajëlldi

12 Tetor 2021, 10:20

IMAM BAJËLLDI

Përbërësit:

5 patëllxhanë

3 qepë mesatare

3 thelpinj hudhër

3 domate të pjekura

1 filxhan vaj ulliri

1 lç sheqer

1 limon (lëngu)

½ tufë majdanoz

Kripë, piper

Përgatitja:

Në fillim pastrojmë patëllxhanët dhe heqim me thikë lëkurën, një po - një jo. Në mes pastrojmë tulin duke krijuar hapësirën për mbushje. I vendosim patëllxhanët të zbuten në një tas me ujë ku kemi shtuar 1 lugë gjelle kripë.

Ndërkohë përgatisim mbushjen. Domatet i presim në kubikë pasi u kemi hequr më parë lëkurën (lëkura hiqet duke i vendosur në ujë të nxehtë, ku më parë i kemi prerë domatet me majën e thikës në formë kryqi). Presim qepët në feta të holla së bashku me hudhrat dhe i trazojmë me domatet ku shtojmë pak sheqer, kripë dhe piper.

Largojmë patëllxhanët nga uji i kripur, I shtrydhim me duar dhe me lugë bëjmë mbushjen me masën e përgatitur. I vendosim patëllxhanët e mbushur në një tavë me letër alumini. Mbushjen që na tepron e vendosim në tavë. Në fund i spërkasim patëllxhanët me lëng limoni, vaj ulliri dhe 1 filxhan ujë. I vendosim të piqen në furrë për rreth 45 minuta – 1 orë.

Sipas dëshirës mund t’i servirim shoqëruar me pak djathë të bardhë.