Gjendet Elderin Zamaku/Familja e kërkon në Greqi, i riu mbërrin në Rrëshen

26 Korrik 2022, 19:29

Elderin Zamaku 46-vjeçar, kishte humbur kontaktet me familjarët që prej datës 17 maj të këtij viti. 3 ditë pasi kishte shkuar si emigrant në Greqi, ndërsa ishte vendosur në fshatin Makrohori të Verias, humb gjurmët. 46-vjeçari nga Rrësheni për herë të fundit takoi të motrën e tij Liljanën, e cila jeton  po në të njëjtin fshat bashkë me familjen. Ai shkoi atë natë në shtëpinë e saj për t'i kërkuar cigare dhe më pas u largua pa lënë asnjë gjurmë. Në shtëpinë ku ai jetonte i vetëm kishte lënë sendet personale, ndërsa ka marr vetëm pasaportën. Pas denoncimit që familjarët bënë në policinë greke nuk rezulton që Elderini të ketë kaluar kufirin. Ai nuk mbante telefon me vete, gjë e cila e bën edhe më të vështirë lokalizimin e tij. 46-vjeçari kishte probleme të vazhdueshme psikologjike, ndërsa së fundmi gjendja e tij ishte përkeqësuar edhe më shumë. Ndarja nga jeta e babait 15 vite më parë, shkaktoi një dhembje të madhe tek Elderini, i cili e kishte të vështirë ta përballonte. Që në atë kohë ai nisi të kurohej me ilaçe për shkak të gjendjes depresive që kaloi. Gjendje e tij u rëndua edhe më shumë kur 3 vite më parë humbi nga kjo jetë edhe nënën e tij, me të cilën ishte mjaft i lidhur. Vitet e fundit Elderini jetonte me të vëllanë në Rrëshen, ndërsa largohej shpeshherë nga shtëpia, por me ndihmën e uniformave blu është kthyer disa herë në banesë. Djali i katërt nga 5 fëmijët e familjes Zamaku e njihte mirë Greqinë, pasi emigrimin ai e kishte provuar që në moshën 18-vjeçare. Por largimi i fundit i tij, ndërsa kanë kaluar plot ditë i ka vënë në alarm familjarët të cilët kërkojnë ndihmën e emisionit' Pa Gjurmë', për gjetjen e 46-vjeçarit.