Gjermania: Plotësoni kushtet e Bundestagut, herën tjetër Franca nuk mund të bllokojë më negociatat

20 Tetor 2019, 20:50

Këshilli Europian vendosi të Premten të mos hapte negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke e shtyrë vendimin, por Berlini, një nga lobuesit e fortë për të dy vendet e Ballkanit kërkon nga Tirana dhe Shkupi që të vijojnë reformat, pasi rruga për në BE mbetet e hapur. Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU (partia e Angela Merkelit) Johann Wadephul shprehet se Franca nuk do të jetë në gjendje që të bllokojë për herë të dytë hapjen e negociatave nëse reformat do të realizohen sikur janë kërkuar.

"Unë u bëj thirrje të dy vendeve që votën negative të Këshillit Evropian ta marrin si një nxitje për të vazhduar të gjitha reformat. Nëse të dy vendet mbeten në këtë kurs, Parisi nuk do të jetë në gjendje të ndalojë negociatat e pranimit për herë të dytë. Bundestagu po ndjek vijimin e reformave. Gjermania qëndron e vendosur për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor" tha Wadephul.

Ndërsa raportuesi përgjegjës për cështjen e integrimit të dy vendeve të Ballkanit, Christian Schmidt thotë se vendimi negativ i Këshillit Evropian duhet të rishikohet në kohën e duhur. Ai paralajmëron se nëse BE nuk kujdeset për Ballkanin Perëndimor, fuqitë e tjera do ta bëjnë sferën e tyre të ndikimit. "Vendimi negativ i Këshillit Evropian duhet të rishikohet në kohën e duhur. Lidhja e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian nuk duhet të bllokohet. Ne i qëndrojmë bindjes se për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ka një vend në Bashkimin Evropian nëse ato i plotësojnë kriteret. Kjo përfundimisht përfshin fillimin e procesit të negociatave.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të shohin rezultatet e arritjeve të tyre, ndryshimin e emrit të shtetit (Maqedonia) apo reformën gjithëpërfshirëse të gjyqësorit (Shqipëri) dhe të punojnë për deficitet e mbetura. Vendimi i kushtëzuar i Bundestagut në shtator, i cili përcakton kushte të qarta për hapjen e negociatave të pranimit, duhet të tregojë gjithashtu rrugën e miratimit për shqetësimet franceze, holandeze dhe daneze. Nëse BE nuk kujdeset për Ballkanin Perëndimor, fuqitë e tjera do ta bëjnë atë sferën e tyre të ndikimit. Askush nuk e dëshiron atë" përfundon Christian Schmidt.