Gjiknuri takim me banorët e Selenicës, tregon ftesën që i bëri Metës: Presidenti ka hallin e politikës

18 Prill 2021, 13:30

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri u ndal për të biseduar me banorët e Selenicës, të cilët falë investimit në infrastrukturë kanë filluar të zhvillojnë pronat e tyre, të investojnë në bujqësi dhe turizëm në formën e shtëpive pritëse për pushues. Këtë synonim për zonën dhe ja arritëm, u tha banorëve të zonës Damian Gjiknuri ndërsa shtoi se së bashku me deputetin Vullnet Sinaj, kjo zonë do të ketë një përfaqësim nga më dinjitozët në Parlamentin e Shqipërisë. 

“Këtu po realizohen ëndrrat qindra vjeçare sikurse ishte rruga e Lumit të Vlorës. Gjithashtu me  këtë segmentin e fundit Pershkëpi- Selenicë, një kërkesë e kahershme e juaja me të cilën fatkeqësisht të tjerët u munduan të bëjnë dhe politikë. Erdhi dhe Presidenti këtu na përçau,  tha unë po vi të interesohem për rrugën. Kur e ftuam të ishte në inaugurim në fillimin e punimeve nuk na erdhi se kishte hallin e politikës. Ta gezoni rrugën e re. Nuk do  të përfundojë me kaq sepse planet tona, do vijojnë që rruga të lidhet edhe me urën e Poçemit dhe të dilni në rrugën nacionale edhe kjo do të jetë e mundur.  Pjesa  e urës  do të shikohet, ajo është pjesë e projektit dhe do studime më të thella. Por një gjë është e sigurt se do të keni në katër vjeçarin e ardhshëm lidhje rrugore më të mirë nga sa e keni pasur”, theksoi Gjiknuri.