Gjosha në Report Tv: Shqipëria nuk mund të ndahej nga Maqedonia! BE në një lojë shahu për lidershipin brenda saj

21 Tetor 2019, 22:08

TIRANE- E ftuar në studion e Report Tv me gazetarin Ilir Babaramo, ish-deputetja e LSI Klajda Gjosha deklaroi se në vend ka pasur një histeri për t'iu kundërvënë presidentit francez Emanuel Macron pas vendimit për shtyrjen e negociatave. Gjosha tha se ishte e vështirë të ndahej Shqipëria nga Maqedonia e Veriut, prandaj vendimi u mor në bllok për të dyja vendet.

"Unë e kam thënë disa herë që ishte e vështirë të ndahej Shqipëria nga Maqedonia. Dhe asnjëherë nuk do mund të merrej vendimi për Shqipërinë të ndarë nga Maqedonia. Ka pasur një histeri për t'iu kundërvënë Macronit. BE tashmë është një lojë shahu se kush do të jetë vendi lider i Këshillit. Gjermania ka probleme e saj të brendshme. Nuk dihet se kush do të jetë qeveria e ardhshme e Gjermanisë. Tezat e Macron sot po fitojnë. Një prej tezave të tij ka të bëjë me reformimin e BE. Komisioni rekomandoi hapje pa kushte. Por komisioni shikon vetëm letrat, ndërsa vendet anëtare ndeshen me problematikën reale. Ka pasur një moskomunikim shumë të gjatë të institucioneve.

Këtu është vendosur në një sfidë shumë të madhe realiteti i vendit. Sot është kusht. Do duhet të vërtetohet nëse zgjedhjet janë legjitime apo jo. Pushteti lokal është pezull sepse të gjithë ata njerëz janë të emëruar nuk janë të zgjedhur. Ky është një ndër kushtet më thelbësore. Shqipëria do duhet të kryejë zgjedhjet për të parë nëse i ka plotësuar kushtet që ka vendosur Bundestagu. Nuk mund të shkohet me arrogancë në BE pa i plotësuar kushtet", u shpreh Klajda Gjosha.