‘Gjuhët e Parajsës’, Ledi Shamku: Teza për purizmin e shqipes, teza më antikombëtare

7 Prill 2021, 17:48

Gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli rrëfen shqipërimin e librit “Gjuhët e parajsës” së historianit Maurice Olender. Dy dekada pas takimit me autorin në një konferencë shkencore në Shqipëri mbi “Gjuhë e identitet kombëtar”, Shamku shpjegon arsyet se përse ky botim hedh dritë mbi aktualitetin politik të ligjërimeve tona gjuhësore. Historiani Maurice Olender gjurmon zhvillimet e katër shekujve përmes punës së J. G. Herder, Ernest Renan, Friedrich Max Müller, Adolphe Pictet, Rudolph Grau dhe Ignaz Goldziher.

 “Në këtë libër merren në shqyrtim tre-katër shekujt e fundit të mendimit shkencor, sa i përket trekëndëshit gjuhë, histori, besim edhe identitet. Dihet që me shfaqjen e monoteizmit semitët kishin gjuhën e vet, besimin e vet monoteist. Arianët ishin popull që u krishtëruan vonë, kaluan një kohë të gjatë në politeizëm... Të kuptosh vërtetësinë është që të kuptosh se ç’lloj procesi është përdorur për të arritur deri aty. Nëse në gjuhën time gjej procese të ngjashme, kemi qenë fqinj, jo doemos gjeografik, por kulturor. Gjurmimi i këtyre përkatësive bëhet i rastësishëm, por bëhet i tmerrshëm nëse ndez një luftë midis arianëve edhe semitëve në tre shekujt e fundit, kush ishte i pari? Kush e shpërndau gjuhën e Zotit?  Arianët kishin shpirtin kreativë edhe ushtarak, por jo aftësinë për t’u nënshtruar ndaj një Zoti të vetëm... E gjitha kjo është një përplasje shumë e fortë për të vendosur hegjemonin e një grushti të vogël njerëzish ndaj gjithë njerëzimit”, shprehet gjuhëtarja Ledi Shamku.