Golem pak nga vdekja e këmbësores, burri kalon në mes të urës

16 Korrik 2019, 11:47

Nëse flasim për lajmet e kronikës së zezë, aksidentet rrugore kryesojnë me lajme tragjike. Thuajse në çdo ditë ka persona që mbesin të plagosur, ashtu sikundër janë shtuar edhe rastet me viktima në rrugë. Në shumicën e rasteve shkak bëhet shpejtësia tej normave të lejuara, që rrallë gjen drejtues automjeti të respektojë me përpikëri limitet e shpejtësisë që të detyron tabela. Por përkundër kësaj. Në Shqipëri është edhe një fenomen, që nga dita në ditë po merr jetë njerëzish. Në autostrada, në rrugë që ka vështirë fushëpamje, etj, ke firmosur vdekjen nëse ndalon nga ndonjë automjet dhe tenton të kalosh në krahun tjetër të rrugës. Të njëjtin fat pati sot edhe një grua 38-vjeçare. Ajo ishte pasagjere në një autobus që vinte nga Berati. Me papërgjegjshmëri totale, automjetet e transportit ndërqytetës shkelin me të dyja këmbët rregullat e qarkullimit në rrugë, duke u bërë shkak për jetë të humbura. Gruaja, Brunilda Shuti, së bashku me tre persona të tjerë, zbritën nga autobusi që ndaloi tek Ura e Golemit në aksin Plepa-Kavajë. Ka hedhur një sy në rrugë dhe më tej ka vrapuar të kalojë në krahun tjetër të urës. Në mesin e urës së mbikalimit të Golemit, një automjet që po kalonte e mori para gruan, e cila ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.Në anën tjetër të rrugës ndodhet plazhi, dhe janë të shumtë qytetarët që këtë rrezik e ndërmarrin përditë. Madje vetëm pak pasi aksidenti i kishte marrë jetën 38-vjeçares, është përsëritur e njëjta skemë. Një automjet privat, ka ndaluar në anë të rrugës (ku nuk ka asnjë xhep për ndalimin e makinave pasi është urë), prej tij ka zbritur një zotëri. Ai ecën disa hapa në anë të rrugës dhe sapo 'sigurohet' se nuk po kalon asnjë automjet, kalon në krahun tjetër të urës.