Grabitja e farmacisë dje në Tiranë, ky është momenti kur autori largohet i qetë nga vendngjarja

27 Janar 2021, 10:03 | Përditesimi i fundit: 2021-01-27 10:04:55

Ky është momenti kur autori i grabitjes së një farmacie mbrëmjen e djeshme largohet nga vendngjarja. Grabitja ndodhi rreth orës 21:00 pas shkollës "Sami Frashëri" në Tiranë. Siç shihet nga pamjet, ai largohet i qetë pasi ka mundur të marrë lekët mbi banak të këtij biznesi.

21-vjeçari Kristi Çinari autori i grabitjes së institucionit financiar Kredo.al 3 ditë më parë në Tiranë, dyshohet se mund të jetë autori i grabitjes së sotme.

Sipas burimeve nga policia, mënyra e grabitjes është e ngjashme me dy të tjerat. Në brendësi të farmacisë ai ka hyrë vetëm, ndërkaq nuk dihet nëse ka patur persona të tjerë që e kanë pritur jashtë. Deri tani dyshohet se ka marrë një shumë prej rreth 20 mijë lekësh.

Policia ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë së farmacisë dhe po ashtu të bizneseve në afërsi për të zbardhur ngjarjen. Ai është kapur nga kamerat e farmacisë dhe duket se ka qenë i maskuar. Përballë tij ndodhet farmacistja e cila duket e tmerruar pasi është strukur dhe ka mbledhur duart nga frika.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në disa zona kyçe dhe në hyrje-dalje të Tiranës.  Si pasojë e errësirës grabitësi ka mundur të largohet me shpejtësi në mes të rrugicave. Ende nuk ka detaje të tjera, por policia ndodhet në vendin e ngjarjes.