Grabitje në 60 sekonda, minorenët 'sa hap e mbyll sytë' bastisin bizneset gjatë ‘orës policore’

30 Nëntor 2020, 12:57 | Përditesimi i fundit: 2020-11-30 13:48:51

Më pak se 1 minutë i duhet grabitësve minorenë të boshatisin bizneset dhe lokalet të cilat pas orës 22:00 mbyllen prej orës policore si masë anti-covid.

Janë këto pamjet ekskluzive që ka siguruar ReportTv nga vjedhjet me dhunë të ndodhura përgjatë muajit nëntor në qendër të kryeqyteti në rrugën e Barrikadave.

Me kapuç, veshje sportive dhe maska anticovid ata thyejnë hyrjen kryesore të verandave të lokalit më pas pjesën e derës së brendshme dhe lëshohen për tek arka ku mbahet xhiro e ditës.

Në këto pamje ekskluzive edhe pse bie alarmi që sinjalizon thyerjen e lokalit ata vazhdojnë të pa shqetësuar kontrollin e tyre deri sa të gjejnë paratë apo sendet me vlerë.

Kur ora shënon 02:46 min e 27 sekonda e datës 22 nëntor dy minorenët hajdutë futen në pjesën e banakut dhe nisin kontrollin për të gjetur paratë.

Por kjo nuk është vjedhja e vetme me dhunë e tyre në të njëjtën zonë. Më 14 nëntor ata kanë bastisur edhe dy biznese të tjera siç dhe shihet në këtë video teksa të dielën në orën 20:00 ata futen në një tjetër bar kafe.

Report Tv ka mësuar se policia e Tiranës dhe komisariati 3 tashmë i ka identifikuar autorët por ata rezultojnë minorenë nën 15 vjeç, çka ka bërë që policia të jetë e pafuqishme pasi arresti me burg ndaj tyre është rrëzuar nga prokuroria dhe gjykata.

Report Tv mëson se vetëm përgjatë 29 ditëve të muajit nëntor në 6 komisariatet e kryeqytetit janë denoncuar vjedhje me dhunë dhe bastisje e 10 bizneseve të cilave u janë marrë paratë dhe sende me vlerë si pajisje, televizorë, kompjuterë.