Grabitjet në Rinas, konfiskohen 1.5 milion euro pasuri të Muratajt e familjarëve të tij

17 Qershor 2019, 11:05

Më shumë se dy muaj pas super-grabitjes së 9 prillit në pistën e aeroportit të Rinasit, policia, me vendim gjykate, konfiskon rreth 1 milionë euro pasuri në pronësi të Admir Murataj, organizatorit të grabitjes që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, dhe familjarëve të tij, konkretisht vëllait, Cen Murataj.

U sekuestruan vila e tyre tre katëshe e ndodhur në Prezë të Tiranës, toka në afërsi të Saukut, një garazh i blerë në vitin 2019, apartamente, njëri prej të cilëve në Sarandë i blerë 90 mijë euro, 9 makina luksoze, që në total vlera e pasurive të sekuestruara arrin rreth 1.5 milionë  euro.

Pasuritë e sekuestruara janë lënë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Ndërkohë policia ka dyshime se ata kanë prona të tjera të cilat i kanë regjistruar në emër të personave të tjerë, për të cilat po punohet të identifikohen - siç thekson policia.

Nga pronat e sekuestruara, disa janë në pronësi të vetë Admirit, dhe një apartament në pronësi të bashkëshortes së tij, Albana. Ndërkohë, makinat e konfiskuara  janë në pronësi të vëllait të Admirit, Cen Murataj.

Fillimisht sekuestrimi i këtyre aseteve u bë mbi dyshimet se vinin nga aktiviteti kriminal.

Admir Murataj mbeti i vrarë më 9 Prill të këtij viti pas supergrabitjes së 4.6 milionë eurove brenda pistës së aeroportit Nënë Tereza. Murataj akuzohet edhe për 3 grabitje të tjera parashë të bankave të nivelit të dytë.