Gran Canaria, digjet ishulli i ‘pranverës së përjetshme’, evakuohen më shumë se 4000 banorë

19 Gusht 2019, 10:25

Më shumë se 4,000 banorë dhe turistë janë evakuuar nga shtëpitë dhe hotelet në Gran Canaria, në Spanjë, për shkak të zjarrit, e dyta vatër gjigande e ndezur brenda një jave në ishullin e Atlantikut.

Flakët që shpërthyen në qytetin e Valleseco tashmë kanë djegur rreth 1.700 hektarë bimësi dhe 11 rrugë janë mbyllur për shkak të flakëve.

Rreth 600 persona, përfshirë zjarrfikës, ushtarë dhe vullnetarë, po përpiqen të shuajnë zjarret, të mbështetur nga nëntë helikopterë dhe dy aeroplanë.

Autoritetet kanë paralajmëruar se ekziston një mundësi e fortë që zjarri të përhapet, ndërsa në ishull temperatura është pothuajse 40 gradë, me erë të fortë dhe lagështi të ulët.