Grupi ‘Bajri’ del para Krimeve të Rënda, gjyqtarja: Seanca me dyer të mbyllura, ka sekrete hetimore

24 Shtator 2018, 15:27 | Përditesimi i fundit: 2018-09-24 18:35:42

TIRANE-Në orën 15:00 ka nisur seanca për masën e sigurisë për grupin Bajri te Krimet e Rënda. Seanca ishte planifikuar në orën 10:00, por për shkak të angazhimeve të gjyqtares në gjyqe të tjera u caktua ora 14.00, por u shty për në orën 15:00 për shkak të mbërritjes me vonesë nga Shkodra të Safet Bajrit, që ishte në një tjetër seancë për dënimin në Belgjikë.

Gjyqtarja Ilirjana Olldashi mbylli dyert për mediat, pasi sipas saj ka akte që përbëjnë sekret hetimor dhe për këtë arsye prokuroria ka kërkuar që seanca të zhvillohet pa praninë e kamerave. Sot kanë dalë para gjykatës 6 nga 11 të arrestuarit, ndërsa seanca zhvillohet nën masa të forta sigurie.

Ndërkohë që për Safet Bajrin është zhvilluar edhe një seancë gjyqësore në Shkodër, pasi u njoh me akuzat e shtetit belg për të cilat gjykata vendosi të japë masën "arrest me burg". Shqiptari është i dënuar në Belgjikë me 22 vite burg në mungesë për përfshirje në organizata kriminale, shfrytëzim prostitucioni dhe disa vepra të tjera penale.

Sot para gjykatës;
Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;
Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;
Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;
Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;

Nga grupi janë arrestuar 11 persona, nga të cilët 9 në Shqipëri dhe 2 në Holandë. Nga 9 të arrestuarit në Tiranë dhe në Shkodër, 3 janë arrestuar në datë 6 shtator, ndërsa 6 para 3 ditësh. Në kërkim janë Enver Bajri dhe një tjetër person. Safet Rustemi (Bajri) është emri më i njohur i grupit të Bajrajve, pasi është dënuar në Belgjikë me 22 vite burg dhe i lakuar shumë nga opozita si i lidhur me segmente të shumicës.  

Grupi Bajri-Të arrestuar nga dy operacionet
1. Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;
2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;
3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;
7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;
8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;
9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;
10. Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;
11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.

Në kërkim:
Enver Bajri 45 vjeç dhe N.H., 34 vjeç

Akuza për grupin Bajri
Të gjithë këta persona akuzohen për vrasje me dashje, gjobëvënie, armëmbajtje pa leje, vrasje e mbetur në tentativë, trukim ndeshjesh, armëmbajtje pa leje, të gjitha këto vepra në formën e grupit të strukturuar kriminal. Hetimet kanë zgjatur 6 muaj, ku janë kryer përgjime dhe janë kryer hetime në bashkëpunim me shërbimet e huaja partnere. Janë kryer dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktve në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv.

Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuara deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001 dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002. Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër.  Grupi kriminal “Bajri” po hetohet për ekzekutimin e Fatbardh Licit në Shkodër. Fatbardh Lici u qëllua me breshëri kallashnikovi mëngjesin e datës 10 gusht. Lici dhe Bajri prej disa vitesh janë grupe rivale në Shkodër dhe burime nga Task-Forca i thanë Report TV, se dyshojnë që vrasja e Licit është bërë nga grupi “Bajri”.

Grupi "Bajri", në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit. Operacioni policor për arrestimin e personave të mësipërm është zhvilluar njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam, Holandë dhe zgjati nga mesdita e së premtes dhe deri në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë ku u finalizua. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, tre prej anëtarëve të këtij grupi iu gjetën në trup 3 armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë lëndë narkotike kanabis sativa.

Policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 3 automjete e një numër i konsiderueshëm celularësh. Operacionet në Shkodër vijnë pas një sërë ngjarjesh kriminale që kanë ndodhur në këtë qytet. Në vetëm 3 muaj, në Shkodër kanë ndodhur 6 vrasje, ku më e fundit ishte ajo e biznesmenit Arjan Ferracaku. 2 persona të tjerë janë raportuar si të zhdukur.