Hakerat në interes të Turqisë valë sulmesh në Europë, Reuters: 'Viktimë' edhe Shqipëria

28 Janar 2020, 15:05

Përhapja e sulmeve kibernetike që synojnë qeveritë dhe organizatat e tjera në Evropë dhe Lindjen e Mesme besohet të jetë puna e hakerave që veprojnë në interes të qeverisë turke. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve Reuters referuar tre zyrtarëve të lartë të sigurimit perëndimor.

Në një artikull të saj, Reuters thotë se hakerat kanë sulmuar të paktën 30 organizata, duke përfshirë ministritë qeveritare, ambasadat dhe shërbimet e sigurisë, si dhe kompanitë dhe grupet e tjera.

Sipas të dhënave të marra nga agjencia botërore e lajmeve, viktima të hakerave janë shërbimet e postës elektronike të qeverisë Qipriote dhe Greke dhe këshilltarin e qeverisë irakiane për sigurinë kombëtare.

Sipas dy zyrtarëve britanikë dhe një amerikan, aktiviteti mbart shenjat e një operacioni spiunazhi kibernetik të mbështetur nga qeveria, i kryer për të përparuar interesat turke.

Sulmet përfshijnë përgjimin e trafikut të internetit në faqet e internetit të viktimave, duke mundësuar që hakerat të marrin akses të paligjshëm në rrjetet e organeve qeveritare dhe organizatave të tjera.

Sipas zyrtarëve, nuk është ende e qartë se cilët persona ose organizata specifike ishin përgjegjës. Por nisur nga fakti se të gjitha sulmet përdornin të njëjtët serverë ngre dyshime të forta se valët e sulmeve.

Referuar artikullit të Reuters, viktimat përfshinin gjithashtu inteligjencën shtetërore shqiptare, sipas të dhënave publike të internetit. Megjithatë, në një reagim për agjencinë e lajmeve, Shërbimi Informativ i Shqipërisë ka konfirmuar se sulmet ishin mbi infrastrukturë e cila nuk ruan “ndonjë informacion të klasifikuar”.