Hidhet shorti i Kategorisë Superiore, java e parë rezervon dy super sfida

10 Gusht 2019, 14:46

TIRANË- Java e parë e Kategorisë Superiore do të sjellë përballje interesante!

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është hedhur mesditën e sotme shorti, ku skuadrat kanë njohur kundërshtarët e tyre për edicionin e 81-të të Kampionatit Shqiptar e cila do të ngrejë siparin në 24 gusht me supersfidën Partizani-Kukësi. Goglat kanë vënë përballë Tirana-Luftëtarin, dy skuadra që sezonin e kaluar kanë luftuar për mbijetesë. Ky kampionat sjell rikthimin e shumëpritur të Vllaznisë në Superiore, si dhe të Bylisit, të cilët duket se janë gati të rikthehen fuqishëm, me shkodranët që kanë qenë shumë aktivë në merkaton e verës. Klubi shkodran do të përballet me Laçin e ndërsa Bylisi me Teutën e Bledi Shkëmbit.

Java e parë rezervon edhe përballjen e Skendërbeut të  "1 mijë problemeve" me Flamurtarin. Si për ironi të fatit, Ilir Daja që tashmë drejton ekipin korçar, do të përballet me ish-skuadrën e tij. Ndërkohë, derbi kryeqytetas, mes Tiranës dhe Partizanit do luhet në javën e 6-të.

Hedhja e shortit ka shuar edhe të gjitha dyshimet që kanë shoqëruar këtë nisje të kampionatit. Edicioni i 81-të i Kampionatit Shqiptar do të nisë në 24 gusht, ndryshe nga sa flitej se do të shtyhej për shkak të problemeve financiare të katër klubeve (Flamurtari, Tirana, Luftëtari dhe Vllaznia). Gjithashtu pjesëmarrëse do të jenë 10 skuadrat;Tirana, Luftëtari, Teuta, Bylisi, Vllaznia, Laçi, Skënderbeu, Flamurtari, Kukësi, Partizani...pa asnjë surprizë.