Himarë/ Familja del për të mbledhur rrjetat e peshkimit, mbytet gruaja, shpëtojnë burri me dy djemtë

5 Gusht 2020, 13:47

HIMARË- Mëngjesi i kësaj të mërkure është kthyer në tragjedi për familjen Rama! 4 anëtarët e kësaj familjeje, çifti me dy djemtë dolën për të mbledhur rrjetat e peshkimit siç bënin çdo ditë, por fatkeqësisht u përballën me dallgë deti të pamëshirshme që i mori përpara.

Burri me dy djemtë kanë arritur të dalin në breg, ndërsa gruaja jo. Një "hero" është gjendur aty pranë rastësisht me një mjet lundrues, i cili së bashku me Policinë Kufitare dhe rojën bregdetare, të cilët ishin nisur drejt Gjipes pas telefonatës së marrë nga një prej anëtarëve, kanë bërë të mundur që të shpëtonin Robert, Avdul dhe Arsen Ramën.

Një nga djemtë ndodhet në gjendje më të rëndë, teksa babai dhe djali tjetër janë jashtë rrezikut për jetën. Për gruan, Mirelën, kërkimet vijuan pavarësisht motit të keq, ku trupi i saj i pajetë u gjet pas disa orësh, një milje përballë Dhërmiut. 

Tek dera e spitalit, aty ku është shtruar një nga djemtë e familjes Rama, qëndron e motra e Mirelës. Me maskën mbrojtëse anti- COVID, ajo vajton për motrën e mbytur, teksa bashkëshorti i saj dëshmon për gazetarët se si mori lajmin e trishtë.

"Mua më njoftoi nipi, babë e bir ishin më rëndë, ndërsa djali tjetër është më rëndë, të shoqen nuk e kanë gjetur akoma. Punonin me varkë, kishin dalë për të mbledhur rrjetën familjarisht. Nuk janë nga Himara, kanë nja 2-3 vjet që punon këtu",  tregon ai.