Hong Kong, automjete të blinduara dhe ushtarë në kufi. Ambasadori kinez në Londër: Gati për të ndërhyrë

16 Gusht 2019, 10:54

Pekini ka nisur t’i tregojë muskujt Hong Kongut teksa mijëra forca të policisë kineze dhe automjete ushtarake të blinduara për transportimin e trupave, janë grumbulluar në një stadium në Shenzhen, gjë që rrit frikën e ndërhyrjes ushtarake kineze në territor.

Kjo paradë e mjeteve dhe fuqisë ushtarake, vjen pas më shumë se 10 javësh protesta pro-demokracisë në ish-koloninë Britanike, të cilat shpesh kanë derivuar në përleshje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë.

Në Hong Kong, një protestë e re është planifikuar për të dielën pavarësisht se njerëzit mendojnë se me atë rast Pekini mund të përdorte forcën.

“Kina nuk do të qëndrojë indiferente dhe është e gatshme të shtypë trazirat nëse kriza e Hong Kongut bëhet e pakontrollueshme", tha ambasadori kinez në Londër, Liu Xiaoming.

Situata në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kong duket se është rikthyer në normalitet pas protestave të dy ditëve të fundit që kanë detyruar anulimin e rreth 979 fluturimeve.

Pas ditësh heshtjeje për krizën, Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar një takim me homologun e tij kinez, Xi Jinping, për të folur për Hong Kongun.