Homazhet/ Mes lotëve i jepet lamtumira e fundit aktorit të humorit, Fadil Hasa

17 Korrik 2018, 11:27 | Përditesimi i fundit: 2018-07-17 15:14:08

Mes dhimbjes dhe lotëve i jepet lamtumira e fundit aktorit të madh të humorit, Fadil Hasa. Homazhet u zhvilluan në Teatrin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, ku morën pjesë familjarë, të afërm, miq dhe kolegë të aktorit të njohur durrsak. 

Mes të pranishmëve ishin edhe kryetari i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha si dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Basha vendosi një kurorë me lule në hollin e Pallatit të Kulturës në Durrës, ku u organizuan homazhet për nder të artistit të madh, Fadil Hasa.

“Sot është një ditë e trishtuar për artin shqiptar, personalisht për mua si një admirues i Fadil Hasës që i vogël. Një nga njerëzit e pakët që në Shqipërinë e ditëve të errëta, dinte të sillte buzëqeshje dhe humor në shpirtrat dhe në shtëpitë e shqiptarëve”,  ishte mesazhi i Bashës pas homazheve.

Aktori i madh i humorit, Fadil Hasa, u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 78-vjeçare, pasi prej një kohe të gjatë vuante nga një sëmundje e rëndë në mushkëri.