I jepet lamtumira e fundit vëllait të kryebashkiakut të Vlorës

14 Tetor 2019, 10:14 | Përditesimi i fundit: 2019-10-14 19:58:51

VLORË- Lamtumirë Eduard Leli! Familjarë, miq, të afërm i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit, Eduard Lelit, ose "Edi" siç ai njihet në qytetin e Vlorës.

Ceremonia e homazheve është zhvilluar në teatrin "Petro Marko", ku më pas do të përcillet për në banesën e fundit dhe do të prehet në paqe në varrezën pranë babait të tij.

Eduard Leli, biznesmen, drejtues i televizionit lokal te Vlorës dhe njëherazi vëllai i kryebashkiakut Dritan Leli ndërroi jetë ditën e djeshme pasi humbi betejën me sëmundjen e rëndë, nga e cila kurohej prej më se një viti.

Leli ishte ekonomist në profesion, ndërsa prej 30 vitesh kishte eksperiencë në tregun ndërkombëtar në proceset prodhuese të materialeve të ndërtimit dhe në industrinë e drurit.
Ai ishte edhe drejtues i televizioni lokal ''Tv One'', ndërsa ka mbajtur edhe postin e menaxherit të konfindustrisë në qytetin e tij të lindjes. I martuar me volejbollisten Marjana Leli, babai i dy fëmijeve, i njohur dhe i vlerësuar në qytetin e tij për dinamizmin human dhe profesional.