I lidhën me tel dhe torturuan 3 korrierë droge, kapet Bako Buzheri i dënuar me 21 vite burgim

17 Gusht 2019, 20:04

GJIROKASTËR - Bako Buzheri, i shpallur në kërkim, u arrestua nga policia e Gjirokastrës, akuzuar dhe dënuar nga Krimet e Rënda me 21 vite burgim.

Buzheri është pikasur sot nga forcat e policisë, por sapo ka vënë re praninë e uniformave blu ai është larguar me automjet. Në ndjekje të tij u vunë forca të shumta policie, të cilat mundën ta arrestonin. Edhe në momentin e prangosjes, Bako Buzheri ka kundërshtuar policinë duke bërë rezistencë.

Buzheri është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe prej disa vitesh ka qëndruar në arrati. Ai është dënuar në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit me 21 vite burgim, vendim ky i marë në 25 qershor 2014.

Buzheri akuzohej për veprën penale të “Rrëmbimit të personit” shoqëruar me tortura fizike e psikike. Në materialin përfundimtar të prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se dyshimi për grabitjen e një sasie lënde narkotike ka bërë që tre personat Velo Shele, Ergest Shele dhe Ergys Goxhaj të rrëmbehen dhe të torturohen në mënyrë çnjerëzore nga 7 pjesëtarët e një grupi kriminal që vepron në zonën e Lazaratit në Gjirokastër. Pjesëtarët e këtij grupi kriminal kishin planifikuar të trafikonin një sasi lënde narkotike të llojit marijuanë në drejtim të Greqisë, mirëpo teksa përpiqeshin të vinin në zbatim planin e tyre, gjithçka është rrëzuar, pasi sasia e drogës është vjedhur nga disa persona.