I veshur më fanellën kombëtares, kreu i FSHF-së Armand Duka e ‘djeg’ me balerina në harem

13 Nëntor 2021, 08:31

Fanella kuqezi është simboli që ngre peshë zemrat e një populli të tërë, që edhe nëse nuk e preferon futbollin sa të tjerët, tifoja shkon natyrshëm për djemtë që përfaqësojnë një komb. Por si e tillë, ashtu edhe kërkon të respektohet...

Por për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, duket që gjithë sa thamë, të mos qëndrojë. Nuk ndodh shpesh të shohësh një president të federatës që mban veshur fanellën e ekipit dhe e ekspozon atë edhe jashtë stadiumit. Në këtë rast, në videon që Report Tv siguron, Duka është pjesë e një feste me delegacionin e Federatës, për ndeshjen në Bjellorusi. Fanella e kombëtares veshur në trupin e tij, zvarritet në një lokal nate teksa Armando Duka ulet këmbënkryq mes kërcimtareve të muzikës orientale.

Në tryezën e festës është bashkuar edhe politika, ku shihet edhe Enkeleid Alibeaj i PD, vëllai i Presidentit të FSHF, Agron Duka i partisë Agrare, dhe Koço Kokëdhima, ish-deputet i PS.

A është kjo një nëpërkëmbje e dinjitetit të ngjyrave dhe simboleve kombëtare?

Futbollistët kuqezi e shuan mbrëmë në fushën e Uemblit ëndrrën për botëror me një rezultat të rëndë, 5 me 0 nga anglezët, të bërë në pjesën e parë të lojës. Edhe në këto raste të vështira, pikërisht fanella kuqezi na bën të përkrahim djemtë, sepse në fund të fundit përfaqësojnë një komb.