Identifikim biometrik dhe numërimit elektronik/ KQZ kërkon rreth 27 milionë euro fonde për zgjedhjet

2 Dhjetor 2020, 13:51 | Përditesimi i fundit: 2020-12-02 18:38:20

Për të realizuar votimin dhe identifikimin elektronik në zgjedhjet e 25 prillit, sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon fonde. Përmes 2 shkresave drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shkruan se afatet për realizimin e këtyre projekteve janë në limite.

Komisioni i Zgjedhjeve sqaron se pas ngritjes së grupit të punës u vlerësuan kostot financiare dhe numrin e personave që do angazhohen për përdorimin e sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit. Sipas KQZ thirrjes 22 kompani për të përllogaritur koston e pajisjeve të identifkimit biometrik të zgjedhësve për zgjedhjet e 25 prillit i janë përgjigjur 6 kompani.

Sipas shkresës së KQZ bëhet fjalë për 16.8 milion euro për identifikimin elektronik në të gjithë Shqipërinë, ndërsa rreth 10 milion euro do të duhen për pilotimin e votimit dhe numërimit elektronik.

Identifikimi elektronik është një proces që do të kryhet në të gjithë vendin, ndërkohë që votimi dhe numëri elektronik në jo më shumë se 20% të zonave zgjedhore.

Kujtojmë se ky proces i implementimit të teknologjisë në zgjedhje është i gjithë i mbikëqyrë nga Nënkomisionerja e KQZ, Lealba Pelinku, e cila është përfaqësuese e opozitës.