INSTAT: Eksportet në shtator kanë rënë me 5.5%! Rrapaj: Lidhet me faktorin sezonal

17 Tetor 2019, 18:45

Eksportet shqiptare të mallrave kanë rënë ndjeshëm në muajin shtator. Referuar shifrave të INSTAT, eksportet në muajin që lamë pas kanë rënë me 5,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe në total arritën në vlerën e 25 mld lekë. Ndërsa importet ishin dyfish më të larta duke kapur shifrën e 52 mld lekë, ku pati rritje me 0.7% importi për produktet ushqimore. Kryetarit të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, thotë për Report TV se ulja e eksportit të produkteve bujqësore ka ardhur për dy arsye.

Shtatori është një ndër muajit që nuk është i përfshirë në sezonalitetin e madh, dhe kjo është arsyeja kryesore. Dhe nga ndryshimi që i është bërë TVSH-së nga 20% në 6% për rimbursimin e fermerëve dhe qendrave të grumbullimit, ne presim një rënie të eksporteve sepse grumbulluesit nuk janë më të interesuar të blejnë tek fermeri,por janë të interesuar të blejnë në tregun e huaj. Shteti vendosi që të mos rimbursojë 20% fermerët por 6%”.