Inter thuajse i skualifikuar, Real 'i bën gjëmën në San Siro! Atalanta shtanga Liverpool-in kampion të Anglisë

26 Nëntor 2020, 14:58 | Përditesimi i fundit: 2020-11-26 15:00:32

Inter është vetëm një hap larg eliminimit nga grupet e Champions League. Kjo pasi zikaltërit kanë dështuar dhe në ndeshjen e dytë kundër Real Madrid, që në San Siro ka fituar 0-2. ‘Galaktikët’ e nisën ndeshjen mjaft mirë duke kaluar në avantazh me Hazard që në minutën e 7, që ekzekutoi saktë një penallti. Spanjollëve do t’ua bënte më të lehtë Vidal, që në minutën e 33 la Interin me 10 lojtarë. Më pas ndeshjen e vulosi Rodrygo në pjesën e dytë.

Lajm i keq për zikaltërit është edhe humbja e Shakhtar me shifrat 4-0 kundër Monchengladbach. Pas katër ndeshjesh në grupin B gjermanët udhëheqin me 8 pikë, Reali i dyti me 7 pikë, Shakhtar i 3 me 4 pikë dhe Interi i fundit me vetëm 2 pikë. Në dy ndeshjet e mbetura për t’u kualifikuar Interi duhet t’i fitojë me patjetër, por kjo nuk do të ishte e vlefshme në rast se të njëjtën gjë nuk bën edhe Reali.

Gjithsesi supriza e vërtetë e së mërkurës ka qenë Atalanta, që në Angli ka mposhtur 0-2 Liverpool-in, një kundërshtar që pak javë më parë i mposhti italianët 0-5. Në Anfield Ilicic zhbllokoi në minutën e 60 para se Gosens katër minuta më pas të dyfishonte dhe të vuloste rezultatin përfundimtar.

Kjo fitore e Atalanta-s është një hap mjaft i madh drejt kualifikimit në raundin tjetër pavarësisht se Ajax, kundërshtari i Atalanta-s për vendin e dytë, mposhti 3-1 Midtjyalland.

Në grupin A Bayern Mynchen ka siguruar kualfikimin në 16 më të mirat pasi ka fituar 3-1 kundër Salzburg. Në ‘Allianz Arena’ golat për kampionët e Europës i realizoi Lewavndowski, Coman dhe Sane. Ndërkohë ndeshje tjetër e këtij grupi mes Atletico Madrid dhe Lokomotiv Moskës ka përfunduar me rezultatin e bardhë 0-0. Ky është barazimi i dytë brenda pak javësh për këto dy skuadra.