Inter-Real Madrid, sfida e sotme 'jetë a vdekje' në Champions League! Bayern-i pret Salzburg-un për 1 pikë

25 Nëntor 2020, 14:06 | Përditesimi i fundit: 2020-11-25 14:07:27

Inter kundër Real Madrid është sfida e Champions League që do të mbërthejë sonte para televizionit miliona tifozë, pasi nga zikaltërit ky 90 minutësh është konsideruar jetë a vdekje. Kjo për shkak se skuadrës së Conte-s i duhet vetëm fitorja për të patur shpresa më tej te kualifikimi, në një kohë kur edhe Real është i uritur për pikë. Për këtë superpërballje Reali nuk ka të disponueshëm Sergio Ramos, Militao, Jovic dhe Karim Benzema-n, ndërsa te Inter do të mungojnë Brozovic, Vecino, Kolarov dhe Sensi.

Ndeshja tjetër e grupit B është Borusia Monchengladbach-Shakhtar Donetsk. Pas tre ndeshjesh gjermanët udhëheqin grupin me 5 pikë, Shakhtar ndodhet në vendin e dytë me 4 pikë, po aq sa Real Madrid i vendit të tretë, ndërsa Interi është i fundit me vetëm 2 pikë.

Në Grupin A Bayer Mynchen i duhet një barazim kundër Salzburg për të siguruar kualifikimin tre ndeshje nga fundi, ndërsa Atletico pret në Madrid Lokomotivën e Moskës, me qëllimin e vetëm fitoren, për të hedhur një hap të sigurtë drejt fazës tjetër.

Në grupin C Manchester City udhëton në transfertën greke kundër Olimpiacos, për të mbyllur çështjen e kaulfiikimit, ndërsa në Francë Marseille do të bëjë tentativën e fundit për të mbetur në lojë kundër Porto-s. Marseille është me 0 pikë, ndërsa Porto ka 6.

Ndërkohë në grupin D Liverpool-i që i ka llogarita e thjeshta pret Atalanta-n, skuadrën që para dy javësh e shkatërroi 0-5. Kampionëve të Anglisë u mjafton një barazim për të kaluar më tej, ndërsa për Atalanta-n një pikë do ishte shumë e vlefshme, pasi është në garë me Ajax për vendin e dytë. Të dy skuadrat kanë katër pikë, ndërsa holandezët sonte duhet të fitojnë me patjetër kundër Midtjylland në ‘Joan Crujf Arena’.